Korçë, protesta për shtëpinë e Flamurit
Në ditën kur Korça feston 96-vjetorin e shpalljes së krahinës autonome, qytetarët e saj vazhdojnë të përballen me gërmadhat e mbetura nga “Shtëpia e Flamurit”.
Simbolika më e rëndësishme e kësaj dite vendos para syve të tyre një imazh mizor dhe aspak domethënës me gurë, dhera e borë. Një grup të rinjsh të FRESSH protestuan pranë vendit ku ndodhej dikur ndërtesa e flamurit.
Pasi kanë vendosur flamurin mes rrënojave të kësaj shtëpie, ndërsa në duar kanë mbajtur 6 prej fotove të firmëtarëve të aktit të pavarësisë, të rinjtë kanë kërkuar që kjo shtëpi t’i rikthehet Korçës dhe qytetarisë korçare. Ata kanë denoncuar edhe vonesat procedurale të Ministrisë së Kulturës, pasi sipas tyre, ajo ka gënjyer për rindërtimin e kësaj shtëpie. Shtëpia e Flamurit u shemb mbrëmjen e 15 gushtit të këtij viti, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e shkatërrimit të saj.