Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën zyrtare për nisjen e procedurës për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se kërkesa mbështetet në një dokument prej 80 faqesh dhe mbi 220 faqe me prova shkresore, ku argumentohen 7 shkelje të rënda dhe të vazhdueshme të Kushtetutës nga kreu i shtetit.

Sipas tij, Presidenti ka humbur funksionin përfaqësues të unitetit të popullit dhe nuk mund të qëndrojë më në detyrë.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa është e argumentuar gjërësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh, të cilat dëshmojnë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurës që kemi inciuar, por po ashtu jemi të bindur se Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de iuro Kryetar i Shtetit dhe Përfaqësues i Unitetit të Popullit, funksione të cilat de facto i ka humbur prej shumë kohësh tashmë.

Pas një analize shteruese të provave, fakteve, Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese nga ekspertët ligjorë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Ligjit, të cilat përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra, në kuptim të nenit 90, pika 2, të Kushtetutës, që parashikon shprehimisht se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit…”, tha Bardhi