Të shtëna me armë janë raportuar mesditën e sotme në qytetin e Kukësit.

Paraprakisht, dyshohet se dy persona kanë mbetur të plagosur, teksa autorët janë identifikuar si dy vëllezër. Ata u shpallën në kërkim dhe policia vijon punën për kapjen e tyre. Raportohet se incidenti ka ndodhur pranë zonës së “Radio Kukësi”.

Njoftimi i policisë:

Plagosën me armë zjarri dy shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar (vëllezër). Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tyre. Rreth orës 14:35, në qytetin e Kukësit, në rrethana ende të paqarta, janë plagosur me armë zjarri shtetasit A. C., 36 vjeç, dhe S. K., 65 vjeç. Nga hetimet paraprake dyshohet se autorë janë shtetasit F. I., 39 vjeç, dhe N. I., 38 vjeç, (vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, për dokumentimin ligjor të rastit.