Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas të fshatit Mamëz, Kukës, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një biznesi. Pas hetimeve të shpejta dhe intensive, janë identifikuar dy autorët e dyshuar të ngjarjes, babë e bir, të cilët janë përfshirë në aktin kriminal.
Njëri nga autorët, babai, është kapur dhe është vënë në pranga, ndërsa djali i tij është shpallur në kërkim. Hetimet kanë zbuluar se dy autorët janë lëvizur me një automjet të dyshuar, i cili është sekuestruar nga policia si pjesë e provave të mundshme që lidhin ata me ngjarjen.
Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të kapur dhe arrestuar djalin e dyshuar, i cili është ende në arrati, dhe për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj ngjarje të rëndë.
Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i hetimeve të thelluara me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur në lagjen Drinas, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan operacionin policor të koduar “Drinas”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Drinas”, u bë kapja dhe ndalimi i njërit prej autorëve, shtetasit Xh. M., 59 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi M. M., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Këta shtetas, më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dyqanit në pronësi të shtetasit T. O., duke dëmtuar fasadën me xham të dyqanit.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, i cili nuk u gjet në banesë gjatë operacionit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
