Janë zbuluar detaje të reja lidhur me plagosjen e 37-vjeçarit Skerdi Mehmetaj, i njohur edhe si Piperi, i cili u qëllua me armë zjarri pasditen e së hënës në zonën e Kupolës, në Vlorë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda automjetit të tij.

Ende nuk është përcaktuar nëse Mehmetaj është qëlluar nga një person tjetër apo është vetëplagosur, ndaj grupi hetimor po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur rrethanat.

Pas incidentit, 37-vjeçari u dërgua në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku mjekët konfirmuan se ai kishte marrë një plumb në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po kryen kontrolle të imtësishme mbi automjetet për të identifikuar autorin e mundshëm.