Një 59-vjeçar, Izet Ymeri, banues në Lushnjë, është arrestuar nga Policia Rrugore e Durrësit pasi drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe tentoi t’i shmangej testit duke ofruar para.
Gjatë patrullimeve në zonën e Plepave, Policia ndaloi automjetin që po drejtohej nga shtetasi I. Y. Në momentin që iu kërkua të kryente testin e alkoolit, ai ofroi 1000 lekë për të shmangur procedurën. Pavarësisht kësaj, testi u krye dhe rezultoi se ai kishte nivel alkooli 0.86 mg/l, shumë mbi kufirin e lejuar.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, 59-vjeçari u arrestua për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
