Kryeministri Edi Rama ka komentuar procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke sqaruar se në këtë fazë diskutimet nuk zhvillohen drejtpërdrejt mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare, por mes Komisionit Europian dhe shteteve të BE-së.

Në konferencën për shtyp me ambasadorin e BE-së në Tiranë, me rastin e Ditës së Europës, Rama tha se Shqipëria negocion me Komisionin Europian, ndërsa ky i fundit paraqet më pas vlerësimet te vendet anëtare.

Sipas tij, Komisioni Europian i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë dhe për piketat e ndërmjetme, ndaj tashmë është vetë Komisioni që po diskuton me shtetet anëtare. Rama tha se pretendimet se procesi është bllokuar nga një vend i caktuar janë, sipas tij, “shitje ajri”.

Kreu i qeverisë foli edhe për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, duke u shprehur i hapur për dialog me opozitën, por jo për ultimatume apo qëndrime të paracaktuara.

Ai theksoi se mazhoranca është e interesuar të diskutojë uljen e numrit të deputetëve në Kuvend, duke shpresuar që për këtë çështje të arrihet konsensus politik.

Sa i përket reformës administrative-territoriale, Rama tha se procesi është zhvilluar në mënyrë gjithëpërfshirëse në terren, me dëgjesa dhe diskutime, ndërsa për më shumë detaje sugjeroi t’u referohen personave që drejtojnë këtë proces.