Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka uruar kryeministrin Edi Rama, pas votëbesimit të qeverisë në Parlament.
Në mesazhin e tij, Ali Ahmeti thekson se nuk ka akt më patriotik se sa mbështetja e Shqipërisë drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Europian. Ai thekson se përkushtimi i Ramës dhe i Shqipërisë për integrim europian është shembull për t’u ndjekur.
Mesazhi i Ali Ahmetit:
“I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i dashur Edi. Të uroj si vëllau vëllaun për rizgjedhjen në krye të Qeverisë shqiptare me uratat më të sinqerta për suksese në zbatimin e programit qeverisës.
Ne na ke përkrah, në mbështetje të Shqipërisë europiane dhe të ecjes pa asnjë ndalesë, me hapa të sigurt dhe të shpejtë, drejt integrimit të plotë europian. Sot, nuk ka akt më patriotik kombëtar se sa Shqipëria europiane dhe ky rrugëtim duhet të mbështetet nga të gjithë.
Më 19 korrik të vitit 2022, Shkupi dhe Tirana i filluan bashkë negociatat në Bruksel, ndërsa sot, Shqipëria ka hapur gati se të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka humbur rrugën drejt kryeqendrës europiane. Ngecja e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin europian dhe rritja e ndikimeve serbo-ruse në vend paraqet shqetësim të madh për ne, bashkë edhe me cënimin e rëndë të barazisë etnike nëpërmjet të rrënimit të Marreveshjes paqësore të Ohrit nga viti 2001.
Përkushtimi yt dhe i Shqipërisë për integrim europian është shembullor dhe uroj të na shërbejë si nxitje që ti bashkangjitemi edhe ne Shqiperisë në këtë rrugëtim. Edi, të uroj shëndet e mbarësi në këtë mandat kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për rajonin. Të priftë e mbara ty dhe Shqipërinë”