Dosja hetimore e pengmarrjes në Bilisht ka zbardhur detaje tronditëse mbi ngjarjen e rëndë dhe dhunimin e Ilir Topçiut, e cila ka ndodhur më datë 30 tetor të këtij viti. Topçiu dyshohet se është marrë peng dhe dhunuar barbarisht nga Altin Nallbati, i njohur si “Duçja”, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, si dhe nga Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku.

Të tre të dyshuarit ndodhen në paraburgimin e Drenovës prej 30 ditësh, pas vendimit të Gjykatës së Korçës për t’i lënë në arrest me burg 40 ditë, në kuadër të akuzave për “heqje të paligjshme të lirisë”, “plagosje të lehtë me dashje” dhe “kanosje”, të kryera në bashkëpunim.

Nga dokumentet rezulton se Çeliku e ka marrë Topçiun nga arresti shtëpiak nën pretendimin se do ta çonte në një ballafaqim me shefin e krimeve të Bilishtit.

Sipas hetimeve fillestare, Nallbati, Buci dhe Çeliku kanë marrë me forcë nga banesa 32-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe e kanë çuar në një biznes privat, ku është keqtrajtuar.

Mëseohet se ai është dërguar në një magazinë të Altin Nallbatit, që sipas hetimeve dyshohet se është i përfshirë në aktivitete të trafikut të emigrantëve dhe lëndëve narkotike në zonën Korçë-Devoll.

Ekspertiza mjeko-ligjore përshkruan plagë dhe dëmtime të shumta në trupin e të dhunuarit, përfshirë hematoma, goditje të forta dhe dy shenja të djegies në ballë, të cilat dyshohet se janë shkaktuar me cigare të ndezur: Tek i dëmtuari konstatohet një hematomë e syrit, ekimoza në kokë, gjoks, bark, dy plagë combustioni në ballë, këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë dhe me energji të lartë me mundësinë më të madhe cigare e ndezur.

Topçiu ka deklaruar para hetuesve se është goditur brutalisht me grushte e shkelma për rreth 10 minuta dhe është kërcënuar për jetën, ndërsa është përdorur edhe dhunë e përsëritur nga të gjithë të dyshuarit.

Topçiu: Marsel Buçi më ka fikur cigaren në ballë dhe më ka kërcënuar me fjalët se ‘do e vriste, do e zhdukte me acid’. Sapo zbres nga makina, Altin Nallbati më ka goditur me grusht dhe më ka thënë ofendime të rënda, duke më goditur me shkelma pa fund. Nuk po ndjehesha mirë, mu errën sytë dhe isha pa ndjenja. Këto shkelma dhe grushta kanë zgjatur rreth 10 minuta. Trajan Çeliku më ka marrë duke më gënjyer, Marseli më ka goditur dhe më kanë sharë dhe ofenduar, duke më fikur cigaren në ballë. Të tre këta shtetas më kanë rrahur dhe kërcënuar në ambientet e biznesit të Altin Nallbatit.

Nëna e tij, Lefterije Topçiu, ka pohuar se e ka gjetur djalin me shenja të dukshme dhune dhe se ai i ka treguar më vonë se ishte marrë nga shtëpia pa dëshirën e tij dhe ishte rrahur: Rreth pasdites flas me djalin tim Ilir për t’i thënë që hajde hamë bukë. Ai më përgjigj se nuk donte të hante. Kur u afrova, pashë që kishte të nxirë syrin e djathtë. Ai më tregoi gjithçka më vonë, duke thënë se e kishin marrë nga shtëpia, e kishin dërguar në Bilisht dhe e kishin rrahur.

Ngjarja ka shkaktua lëkundje të forta në radhët e policisë lokale, pasi Drejtori i Policisë së Korçës, Erjon Ahmeti, është shkarkuar, ndërsa nëndrejtori dhe disa efektivë të Komisariatit të Devollit janë pezulluar, për shkak të dyshimeve për neglizhencë dhe mosveprim ndaj rasteve të raportuara.