Zbardhet dosja penale e ngjarjes së ndodhur në fund të muajit Tetor në Bilisht, ku Ilir Topçiu u mor peng dhe më pas u dhunua brutalisht nga Altin Nallbati alias “Duçja” vëllai i deputetit të PD, Bledjon Nallbati, dhe dy persona të tjerë, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Për tre personat e mësipërm të proceduar nga prokuroria, Gjykata vendosi caktimin e masën se “arrestit me burg” me afat 40 ditor.

Nallbati, Buçi dhe Çeliku aktualisht mbahen në paraburgimin e Drenovës, ndërkohë avokatët dhe familjarët e të arrestuarve kanë nisur negociatat e pajtimit me denoncuesin e dhunuar, Ilir Topçiu, të cilit i kanë kërkuar të tërheqë kallëzimin penale dhe njëherësh të firmosë një deklaratë noteriale për normalizimin e marrëdhënies.

Grupi prej 3 persona dyshonte se Ilir Topçiu i kishte tradhtuar duke spiunuar tek shefi i krimeve në komisariatin e Bilishtit, duke çuar në arrestimin në fshatin Braçanj të Ylli Xhaçkës, i cili drejtonte mjetin pa patentë.

Për këtë shkak, Trajan Çeliku ka shkuar në fshatin Vishocicë duke e marrë me makinë Ilir Topçiun, teksa ishte në arrest shtëpie, me justifikimin se do e ballafaqonte me shefin e krimeve të policisë. Mësohet se e gjitha ka qenë një kurth, pasi Topçiu nuk është çuar në komisariatin e Bilishtit, por në magazinën e Altin Nallbatit alias “Duçes” së Devollit, i cili konsiderohet nga policia e Korçës si personazh që drejton një grupim personazh të cilët kryejnë trafikim të klandestinëve Sirianë, trafikun e drogës në kufirin e Gjelbër me Greqinë dhe shpërndarjen dhe tregtinë e drogës në këtë zonë.

Ilir Topçiu, është rrahur brutalisht nga 3 personat dhe nga goditjet në trup atij i ka rënë të fikët. Por siç tregon në rrëfimit e tij të dhënë në polici, kur është përmendur Marsel Buçi i ka fikur cigaren në ballë dhe e ka kërcënuar me fjalët se: “…do e vriste, do e zhdukte me acid…”.

Nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor ndaj të dëmtuarit Ilir Topçiu, mjekët kanë dalë në përfundimin se:

“…tek i dëmtuari konstatohet një hematomë e syrit, ekimoza në kokë, gjoks, bark, dy plagë combustioni (diegie) në ballë e spostuar paksa djathtas me karakteristikat e përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë dhe me mundësinë më të madhe cigare e ndezur…”.

Sipas dosjes hetimore të siguruar rezulton se në 30 tetor 2025, rreth orës 22:50, para oficerit të policisë gjyqësore ka bërë denoncim, Ilir Topçiu, i cili ka deklaruar si më poshtë vijon:

“…ditën e diel ose ditën e hënë, mesa mbaj mend më ka marrë një shoku im në telefon në messenger, i cili quhet Trajan Çeliku. Gjatë bisedës më ka thënë që ti je spiun pasi na ke shitur informacion tek shefi i krimeve në Komisariatin e Bilishtit, për shtetasin Ylli Xhaxhçka i cili është proceduar penalisht pasi ka drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Pas bisedës më thotë dil te sheshi i fshatit për tu sqaruar bashkë me shefin e policisë…”-ka treguar në polici i dëmtuari Ilir Topçiu.

Më tej i dëmtuari ka treguar në prezencë të grupit hetimor se ishte mashtruar nga shoku i tij, Çeliku duke shtuar se:

“…Trajan Çeliku, ka ardhur dhe më ka marrë me makinë për të më ballafaquar me shefin e Krimeve. Edhe gjatë qëndrimit në makinë kemi diskutuar punën e spiunimit. Mirëpo më ka mashtruar, pasi nuk më çoi tek policia (tek shefi) por më dërgon me makinë tek lagjia që ndodhet mbrapa karburant ‘Gega Oil’, ku u futëm me makinë në ambientet e brendshme të shtetasit Altin Nallbati alias ‘Duçja’. Aty brenda ndalon makinën dhe unë zbres. Sapo zbres Altin Nallbati, menjëherë më ka goditur me grusht dhe me ka thënë ofendime të rënda, duke më goditur me shkelma pa fund. Në momentin që po më godisnin nuk po ndjehesha mirë. Mu errën sytë dhe isha pa ndjenja pasi kisha dhimbje të mëdha. Mesa mbaj mend këto shkelma dhe grushte kanë zgjatur rreth 10 minuta pasi unë nuk po mbushesha me frymë. Kur mora pak veten pashë Marselin, i cili po pinte cigare dhe cigaren ma ka vendosur në ballë, duke ma fikur atë. Ky moment ishte një tmerr i vërtetë. Më pas, Marsel Buçi, më është drejtuar duke më thënë: ‘…ik qërohu nga këtu… Herë tjetër do të të djeg me acid, nuk ke shpëtim’.

Unë duke çaluar dhe me dhimbje të mëdha nga frika e kërcënimeve me jetë që mora nga këta persona, u nisa në këmbë në shtëpinë që kam në fshat dhe nuk kam folur me asnjë person për tre ditë. Për shkak të frikës se mos më vrasin nuk e kam kallëzuar më parë këtë ngjarje. Në momentin që jam goditur të pranishëm kanë qenë Altin Nallbati që njihet me pseudonimin ‘Duçja’ dhe dy shokët e tij, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Të tre këta pesona i njoh pasi kam ndenjur me ta në disa raste. Theksoj se Trajani më ka marrë duke më gënjyer, Marseli më ka goditur dhe më kanë sharë dhe ofenduar, duke më fikur cigaren në ballë. Të tre këta shtetas si ‘Duçja’, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, më kanë rrahur, kërcënuar në ambientet e biznesit të Altin Nallbatit.”– tha ai.