Informacionet
Një telefonues komunikon me sallën operative dhe tregon një emër personi të dyshuar, por preferon të mbetet anonim. Verifikohen të dhënat. Informacionet, pas shpërblimit 10 mijë USD
Një telefonatë në sallën operative të policisë për vrasjen e palestinezit Anuar Rizik, ish-nëndrejtor i fabrikës së çimentos, ka vënë në lëvizje të gjithë grupin hetimor, pasi telefonuesi ka pretenduar se e di emrin e personit që vuri dhe shpërtheu eksplozivin në shtëpinë e viktimës. Telefonuesi ka treguar edhe emrin e të dyshuarit, por ka preferuar të mbetet anonim, duke mos identifikuar as numrit e telefonit, pasi ka telefonuar nga një kabinë në rrugë.
Telefonata
Burimet nga grupi hetimor thonë se telefonata në sallën operative ka mbërritur dy ditë më parë dhe është kryer nga një kabinë telefonike në qendër të Tiranës, ku telefonuesi ka dhënë edhe një emër konkret të një të dyshuari si autor i krimit, duke vënë në lëvizje grupin hetimor për verifikimin e informacionit. Policia nuk ka dhënë detaje në lidhje me të dyshuarin, ndërkohë që ka kërkuar nga telefonuesi që të prezantohet, por ai nuk ka pranuar të japë identitetin e tij. Në këto kushte, policia e kryeqytetit ka identifikuar vendin nga është kryer telefonata, tashmë e regjistruar, por njëkohësisht ka nisur verifikimet për emrin e dhënë nga personi anonim. Madje, ai emër është i njohur për grupin hetimor, të formuar për vrasjen e palestinezit. Më tej mësohet se telefonuesi ka dhënë edhe disa detaje të tjera, të cilat nuk publikohen për arsye hetimore. Telefonata ka ardhur pas informacionit për shpërblimin që ofron policia prej 10 mijë dollarësh për personin që jep informacion të vlefshëm mbi identifikimin e atentatorit.
Hetimet
Ndërkaq, sipas grupit hetimor, ka mbërritur në 67 numri i personave të shoqëruar dhe të marrë në pyetje në lidhje me vrasjen me eksploziv të 9 majit në rrugën “Budi”, pranë rrethimit lindor të ambasadës amerikane. Sipas burimeve, 16 prej të shoqëruarve janë shtetas të huaj. I fundmit i të pyeturve është një shtetas palestinez, punonjës i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, i cili është marrë në pyetje në orët e mesditës së të hënës në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërsa dje paradite, në Prokurorinë e Tiranës është zhvilluar një analizë e grupit të hetimit me oficerë të Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe oficerët e Policisë së Tiranës dhe Durrësit. Pista e hetimit për konfliktet e fabrikës së çimentos, nëndrejtor i të cilës ishte Rizik, ka përfshirë në grupin hetimor edhe oficerët e Durrësit. Burimet thanë se edhe pas analizës në prokurori, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e konflikteve, për shkak të aktivitetit të fabrikës, kryesisht me banorët e zonës. Prej vitit 2008, banorët kanë qenë të akuzuar për 15 ngjarje kriminale nga vrasja e një roje deri në sulme me eksploziv e zjarre ndaj fabrikës, rrugëve dhe urave që e lidhin atë me rrugën nacionale. Ndërkaq që ka pasur edhe një adoleshent 17-vjeçar të vrarë, banor i zonës, i cili u ekzekutua nga një rojë që pretendonte se kishte hyrë për të vjedhur. Mes pistave ka qenë edhe ajo pushimit nga puna në fabrikë të një shtetasi të huaj, si dhe problemet me shlyerjen e pagave dhe detyrimeve të kohëve të fundit nga administrata e fabrikës. Ble. Gi.
Të dhëna
Shpërblimi: Telefonata ka ardhur pas informacionit për shpërblimin që ofron policia prej 10 mijë dollarësh për personin që jep informacion të vlefshëm mbi identifikimin e atentatorit
Dëshmitarët: Sipas grupit hetimor, ka mbërritur në 67 numri i personave të shoqëruar dhe të marrë në pyetje në lidhje vrasjen me eksploziv të 9 majit
Shoqërimet: 16 prej të shoqëruarve janë shtetas të huaj. I fundmit i të pyeturve është një shtetas palestinez, punonjës i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë