Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve do ta mbajnë nesër pjesën më të madhe të vendit në rrezik të lartë për zjarre në pyje, sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO).

Rreziku i lartë parashikohet në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërsa në Shkodër, Kukës dhe Dibër niveli i rrezikut do të jetë i moderuar, edhe pse në disa zona të këtyre qarqeve pritet të jetë gjithashtu i lartë. Sipas IGJEO, niveli më i lartë i rrezikut pritet në pjesën perëndimore të qarkut Shkodër, në verilindje të qarkut Kukës dhe në perëndim të qarkut Dibër.

Për nesër nuk parashikohen reshje shiu në të gjithë territorin e vendit. Temperaturat do të arrijnë deri në 34 gradë Celsius në zonat bregdetare, deri në 37 gradë në vendet e ulëta dhe deri në 33 gradë Celsius në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare thotë IGJEO.