Dymbëdhjetë persona, të arrestuar gjatë megaoperacionit kundër lëndëve narkotike në Vlorë, do të dalin paraditen e kësaj të shtune para gjykatës.

Bëhet me dije nga burimet për mediat se në gjykatën e Vlorës, deri më tani kanë mbërritur Eduart Ahmeti, Idlir Omeri, Bebeto Basha, Julian Shabani, Klajdi Muca, Ari Myrtaj, Lisandro Murati, Gerand Nebiu dhe Jurgen Breshani. Ata do të njihen me masën e sigurisë.

Nga ana tjetër kujtojmë se gjatë operacionit “Tempulli”, që u zhvillua pak ditë më parë në disa qytete, në qytetin e Vlorës ranë në pranga 69 persona.

Operacioni policor u zhvillua në kuadër të masave për garantimin e sigurisë në shkolla.

“Prej disa ditësh janë impementuar një sërë masha të reja, për sigurinë në shkollë. Një nga masat është parandalimi i shitjes së narkotikëve pranë shkollave. ‘Tempulli’ për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, bareve, lokaleve, restoranteve”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Trafikantët e fusnin hashashin në konserva dhe më pas e shpërndanin. Kanabisi që tregtonin ishte i prodhuar me llamba dhe kushtonte 3000 lekë, tre herë më shtrenjtë se kanabisi klasik.

Nga fillimi i vitit dhe deri më tani, sipas policisë, janë finalizuar 116 operacione lidhur me prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në vend, pas të cilave janë ndaluar, arrestuar dhe vënë nën hetim 1541 shtetas për shitje të drograve në afërsi të shkollave, në bare, lokale nate dhe në bregdet gjatë sezonit veror.

Në total, janë sekuestruar 829 kg kanabis (një pjesë e së cilës ishte përpunuar në formë kanabisi), 1.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi.