Raporti
Vrasjet: Rritja e tyre lidhet me uljen e sigurisë në konsekuencë të ndikimit të faktorëve socialë-ekonomikë, të brendshëm dhe të jashtëm
Vjedhjet: Në rritjen e kësaj vepre penale ndikojnë faktorët socialë-ekonomikë dhe ulja vit pas viti e zbulueshmërisë së autorëve të tyre
Thikat: Mbajtja e armëve të ftohta është kthyer në shqetësim serioz, që kryesisht është shfaqur në ambientet e institucioneve arsimore
Arsyet që lidhen me rritjen e kriminalitetit
Bledi Gilaj – Krimet e dhunshme dhe ato të rrugës kanë ardhur në rritje në Shqipëri nga viti në vit, duke të lënë përshtypjen se shqiptarët janë të prirë për të kryer këto lloj veprash penale. Kjo tendencë vihet re në shifrat zyrtare të krimeve të publikuara në fund të çdo viti, apo analizë të organeve kompetente, siç janë policia dhe prokuroria. Madje, rritja e krimeve ka ardhur sidomos për vrasjet, kërcënimet, plagosjet, vjedhjet dhe grabitjet me armë, apo me pasojë vdekjen. Alarmi është lëshuar prej kohësh, ku kërkohet që të ndërhyhet urgjentisht me qëllim zvogëlimin e këtyre fenomeneve me shifra të frikshme.
Vrasjet dhe kërcënimet
Rritja e krimeve të vrasjeve dhe të kërcënimeve, sipas ekspertëve të prokurorisë, po ashtu edhe të policisë lidhet me uljen e sigurisë publike në konsekuencë të ndikimit të faktorëve socialë dhe ekonomikë, të brendshëm dhe të jashtëm. Në këto kushte, nga prokuroria çmohet e domosdoshme rritja e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve ligjzbatuese për rritjen e zbulueshmërisë të autorëve të këtyre veprave penale dhe vënien e tyre para ligjit. Gjithashtu, është i nevojshëm aplikimi i një politike penale më të ashpër ndaj këtyre individëve nga ana e sistemit të drejtësisë. E njëjta situatë paraqitet edhe për plagosjet e rënda apo të lehta. Sa i përket shifrave të krimeve kundër personit, ku futen vrasjet dhe kanosjet, por edhe disa të tjera që lidhen me to, nga shifrat e publikuara më parë ka rezultuar se për vitin 2011 janë regjistruar 647 procedime penale, ndërkohë që për vitin 2010 kanë qenë vetëm 616 të tilla. Ndërsa plagosjet kanë arritur mbi një mijë të tilla për vitin që kemi lënë pas.
Vjedhjet e grabitjet
Vjedhjet e ndryshme, duke filluar që nga ato me thyerje, e deri tek ato me dhunë, apo grabitjet me armë ose me pasojë vdekjen kanë ardhur në rritje, duke vënë në alarm organet e drejtësisë. Në tendencën në rritje të këtij grupi veprash penale çmohet se kanë ndikuar faktorët socialë-ekonomikë dhe ulja vit pas viti e zbulueshmërisë së autorëve të tyre. Konstatohet rritje e numrit e të pandehurve të mitur për këtë grup veprash penale. Madje, nga ekspertët, në raporte vlerësohet që mungesa e një sistemi efikas për ndëshkimin penal ndaj kësaj kategorie individësh, duke marrë në konsideratë moshën, edukimin, kushtet e jetesës dhe prejardhjen familjare, është një faktor që ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të këtij grupi.
Mashtrimet
Nga ekspertët e prokurorisë, kjo vepër penale vlerësohet si një tendencë në rritje që lidhet me një orientim të një kategorie personash të shoqërisë shqiptare për t’u pasuruar në mënyrë të shpejtë dhe të kundërligjshme, me anë të formave të ndryshme të mashtrimit. Madje, nga burimet mësohet se prokuroria ka bërë sugjerimet e saj që ndoshta është e nevojshme të bëhet një lloj sensibilizimi i opinionit publik për ndërgjegjësimin e publikut për të mos rënë pre e këtyre formave.
Shkatërrimi i pronave
Për krimet që kanë ardhur në rritje në Shqipëri futen edhe ato për çështjet e shkatërrimit të pronës, qoftë me zjarr ose me eksploziv, ndërkohë që nuk mbeten mënjanë procedimet penale në rritje për shkatërrimet e rrugëve ose të rrjetit elektrik. Nga specialistët shprehet mendimi se tendenca e shfaqur lidhet me uljen e sigurisë publike dhe shkallën e ulët të zbulueshmërisë së autorëve. Por, më tej, cilësohet se edhe krimet kundër mjedisit kanë pasur tendencë në rritje, siç janë prerja ose shkatërrimi me zjarr i pyjeve. Kjo mendohet se ka lidhje me evidentimin dhe me administrimin më të mirë të kësaj forme kriminaliteti nga strukturat përgjegjëse.
Telefonat dhe thikat
Ndërkaq, probleme janë shfaqur me keqpërdorimin e thirrjeve telefonike, për arsye se sipas analizave të kryera është e pamundur të identifikohet personi, i cili është përdorues telefoni. Kjo shkaktohet nga shitja e kartave të telefonisë celulare në treg të zi, pavarësisht parashikimeve të bëra në ligj. Por, problem aq i ndjeshëm që ka ardhur në rritje dhe që është shumë shqetësues është edhe mbajtja e armëve të ftohta, që kryesisht është shfaqur në ambientet e institucioneve arsimore.
Prokuroria
“Si të parandalohet krimi i rrugës”
Nga analiza e treguesve statistikorë evidentohet se në ndryshim nga qëndrimi i organit të akuzës në drejtim të politikës së dënimit, përgjithësisht gjykatat e të gjitha niveleve kanë aplikuar lloje dhe masa dënimi më të buta se ato të kërkuara nga prokurorët. Gjendja e procedimeve penale të pezulluara për moszbulim të autorëve, me shifra në rritje vit pas viti, edhe për vitin 2011, evidenton mangësi në zbulimin e autorëve nga strukturat përkatëse të shërbimeve të Policisë së Shtetit, si dhe nevojën për përmirësimin rrënjësor të punës nëpërmjet hartimit të një strategjie për të luftuar këtë fenomen në të gjithë dimensionet e tij. Gjithashtu, prokuroria këshillon që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duhet të organizojë kontrolle dhe analiza në të gjitha strukturat e shërbimeve të policisë gjyqësore, me qëllim për të analizuar gjendjen e veprave penale të pazbuluara, si dhe për të rritur angazhimin dhe përgjegjësinë e oficerëve dhe agjentëve të policisë gjyqësore në të gjithë nivelet në ushtrimin e funksioneve të tyre për kërkimin dhe mbledhjen e të dhënave, njoftimeve dhe provave, për gjurmimin dhe zbulimin e autorëve të veprave penale të pezulluara ose pazbuluara.