Evita Sh.p.k, në pronësi të biznesmenit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeut, merr të tjera para publike nga buxheti i shtetit për shëndetësinë.

Në tenderin e shpallur nga Operator i Blerjeve të Përqendruara për pajisje për shërbimin e kardiokirurgjisë, në vlerën e gati 750 milion lekëve, është shpallur fitues operatori ekonomik Evita Sh.p.k i Allajbeut, duke skualifikuar operatorin tjetër pjesëmarrës në garë, Montal Sh.p.k, e cila paraqiti ofertën më të ulët.

Bëhet fjalë për një tender që do të furnizojë shërbimin e kardiokirurgjisë me age apo pajisje të tjera gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale kardiake.

Vlera që ofroi kompania e Klodian Allajbeut në këtë tender është afro 120 milion lekë më shumë se sa ofroi kompania tjetër në garë, ku normalisht në tendera fiton ai që paraqet ofertën më të ulët. Totali i asaj që ofron Evita Sh.p.k është afro 660 milion lekë, ndërsa konkurrenti tjetër u ofrua me afro 540 milion lekë, me një diferencë jo të vogël, por që u skualifikua.

Në dokumentet e publikuara nga Operator i Blerjeve të Përqendruara thuhet se rivali i Klodian Allajbeut në këtë garë skualifikohet pasi nuk plotëson specifikimet teknike, duke shpallur fitues Evita Sh.p.k të Klodian Allajbeut. Deri më 23 dhjetor është një periudhë ku kompania e skualifikuar mund të ankimojë fituesin e këtij tenderi, që ka fituar edhe tendera dhe koncesione të tjera nga buxheti i shëndetësisë.