Detaje të reja janë bërë publike nga hetimi i SPAK ndaj ministres Belinda Balluku, ku prokuroria dyshon për një lidhje mes një tenderi publik dhe investimeve të kryera në një vilë në kompleksin “Green Coast”, në Palasë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, dyshohet se ka marrë përsipër punime për përfundimin e vilës, me një vlerë të parashikuar nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro.
Në të njëjtën kohë, kompania e Abazit ka qenë pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me një fond limit prej rreth 2.35 miliardë lekësh pa TVSH.
SPAK dyshon se, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku ka ndikuar në favorizimin e kësaj kompanie gjatë procedurës së prokurimit dhe se investimet në vilë mund të kenë qenë përfitim në këmbim të këtij favorizimi.
Për këtë episod, prokuroria ka ngritur ndaj Ballukut dyshime për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Hetimet për çështjen vijojnë.
