Ka nisur në sheshin “Skënderbej” grumbullimi i qytetarëve në ditën e 16-të të protestës që po zhvillohet në Tiranë.

Si çdo ditë, qytetarët pritet të mblidhen fillimisht në shesh, për të vijuar më pas marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe për t’u ndalur para Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalimet e protestuesve. Pas përfundimit të tyre, marshimi pritet të vijojë edhe në disa rrugë të kryeqytetit.

Gjatë fjalës së mbajtur me megafon, organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos përçahen gjatë marshimit, duke theksuar se incidentet e mbrëmshme nuk duhet të përsëriten.

“Marshimi është organizuar nga vetë të rinjtë, por nga sot do të kujdesemi edhe më shumë për të shmangur incidentet e mbrëmshme. Nuk do të ketë më marshim jashtë ‘Unazës’,” u shpreh aktivisti Kola.

Ndërkohë, një tjetër organizator deklaroi se “ajo që ndodhi mbrëmë nuk do të përsëritet”.