Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë vijuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku situata është tensionuar sërish.

Efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa autoboti i policisë ka ndërhyrë duke hedhur ujë me presion në drejtim të demonstruesve.

Sipas raportimeve nga terreni, gazi lotsjellës është hedhur në sasi të mëdha, ndërsa një pjesë e tij është kthyer në drejtim të forcave të rendit nga protestuesit.

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, të rinjtë dhe studentët vijojnë të qëndrojnë në bulevard, duke refuzuar të largohen dhe duke vazhduar protestën.

Demonstrata është shtrirë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ndërsa përplasjet dhe ndërhyrjet e policisë kanë bërë që situata të mbetet e paqëndrueshme.