Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetët opozitarë bllokuan foltoren që në nisje të punimeve, ndërsa deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, shkaktuan reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te protesta e fundit në Tiranë, duke akuzuar policinë për ushtrim dhune ndaj të rinjve dhe duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj përfaqësuesve të shumicës parlamentare.
Sipas liderit demokrat, gjatë protestës janë regjistruar akte të rënda dhune, për të cilat ai bëri përgjegjës edhe deputetët e mazhorancës.
“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka, u çanë kafka”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se ndaj protestuesve ishin përdorur metoda të ashpra policore.
Më tej, ai ashpërsoi tonet, duke u shprehur se parlamentarët e mazhorancës janë më përgjegjës se personat që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj të rinjve.
“E meritojnë këta gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera”, u shpreh kreu i PD-së, duke iu referuar deputetëve të shumicës.
Kjo deklaratë solli ndërhyrjen e menjëhershme të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili e cilësoi qëndrimin e Berishës si thirrje për dhunë.
“Kjo është thirrje për dhunim. Ju hiqet fjala. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. S’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, deklaroi Peleshi.
Vendimi për t’i ndërprerë fjalën kreut të opozitës u pasua nga tensione të tjera në sallë, ku deputetët opozitarë vijuan kundërshtimet.
Për shkak të situatës së krijuar dhe pamundësisë për të vijuar normalisht punimet, kryetari i Kuvendit vendosi ndërprerjen e seancës plenare.
Përplasja e kësaj të enjteje vjen në një klimë të tensionuar politike, pas protestës së opozitës në kryeqytet dhe akuzave të demokratëve për mënyrën se si policia ka ndërhyrë ndaj pjesëmarrësve.
