Punimet e Kuvendit janë shoqëruar me tensione dhe ndërprerje të njëpasnjëshme, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke penguar vijimin normal të seancës plenare.
Situata u krijua menjëherë pasi drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, mbylli diskutimet për çështjet procedurale dhe njoftoi kalimin në prezantimin e raporteve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike lidhur me reformën territoriale.
Për shkak të tensioneve të krijuara në sallë, Peleshi vendosi të ndërpresë përkohësisht punimet, duke shpallur një pushim pesëminutësh me synimin për të qetësuar situatën dhe për të rikthyer normalitetin.
Pas rifillimit të seancës, diskutimet vazhduan vetëm për pak minuta. Deputetët e opozitës u rikthyen sërish pranë foltores, duke bllokuar zhvillimin e punimeve dhe detyruar drejtuesin e seancës të shpallte një tjetër ndërprerje.
Edhe pas pushimit të dytë, situata mbeti e pandryshuar. Deputeti Luçiano Boçi vijoi të qëndronte në foltore, duke mos lejuar vijimin e rendit të ditës dhe marrjen e fjalës nga ministri Arbian Mazniku, i cili ishte planifikuar të prezantonte raportin e tij.
