Njësitë e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) kanë mbërritur në Orikum ditën e sotme, ku pritet të shemben disa ndërtime pa leje.
Gazetari i Top Channel, Mikel Marsi raporton se janë shembur dy objekte të cilat ndodhen në bregdet dhe janë skualifikuar nga procesi i legalizimit, por janë në proces gjyqësor me ASHK-në. Bëhet fjalë për një restorant dhe 10 dhoma pushimi, teksa pronarja pretendon se nuk është njoftuar më herët për vendimin e shembjes.
Për këtë arsye është dashur dhe ndërhyrja e policisë pasi pronarja së bashku me disa persona të tjerë, kanë penguar punën e IMT-së. Ndërkohë, IMT ka kërkuar dhe ndërhyrjen e OSHEE-së për të bërë të mundur ndërprerjen e energjisë elektrike në objektet që do të shemben.
Pas një rezistence, vetë pronarët e objekteve në fjalë kanë filluar të zhvendosin disa prej orendive të bizneseve.