Seanca plenare është shoqëruar me momentet e para të tensionit edhe brenda sallës së Kuvendit.

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, u ngrit nga vendi i tij dhe iu drejtua foltores me synimin për të marrë fjalën, ndonëse nuk ishte parashikuar në rendin e diskutimeve dhe nuk i ishte dhënë e drejta për të folur.

Lëvizja e tij solli reagimin e menjëhershëm të efektivëve të Gardës së Republikës, të cilët ndërhynë për ta ndaluar të vijonte procedurën jashtë rregullores së Kuvendit.

Pavarësisht ndërhyrjes, Kapri qëndroi për disa çaste pranë foltores. Mikrofoni i tij mbeti i fikur dhe ai nuk u lejua të mbante fjalim, pasi nuk kishte autorizimin për të marrë fjalën në atë moment.

Situata krijoi tension për disa minuta në sallën e Kuvendit, ndërsa seanca vijoi mes debateve dhe kundërshtimeve nga opozita.