Në Shkodër është arrestuar një 44-vjeçare, pasi dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjëse të Policisë Bashkiake. Ngjarja është konstatuar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, të cilët kanë bërë ndalimin e saj.
Ndërkohë, Policia ka referuar materiale në Prokurori edhe për dy raste të tjera. Një 42-vjeçare akuzohet se ka kanosur një specialist strehimi në Bashkinë Shkodër, ndërsa një 36-vjeçar procedohet pasi, sipas kallëzimit të një 30-vjeçareje të pajisur me urdhër mbrojtjeje, e ka ofenduar dhe nuk ka respektuar vendimin e gjykatës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasen L. P., 44 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi ka goditur punonjësen e Policisë Bashkiake, shtetasen A. D., 39 vjeçe, për shkak të detyrës.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. H., 42 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi ka kanosur shtetasin N. T., 33 vjeç, me detyrë Specialist Strehimi pranë Bashkisë Shkodër, për shkak të detyrës;
-A. L., 36 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka bërë kallëzim shtetasja F. L., 30 vjeçe, se ky shtetas e ka ofenduar dhe nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, pasi është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
