Vijon mes tensionesh numërimi në KZAZ 40, në Shkollën Sami Frashëri, në Tiranë.
Mësohet se 6 fletë votimi të Partisë Mundësia po tentohen të shpallen të pavlefshme dhe kjo ka sjellë reagimin e Agron Shehajt, i cili është përplasur me policinë. Sipas komisionerëve, edhe pse fletët e votimit janë me dy vulat e komisionit të votimit, arsyeja e shpalljes të pavlefshme është se fletët kanë ngjyrë të zbehtë.
Policia ka kërkuar daljen nga salla e numërimit të vëzhguesve, në mënyrë që të rikthehet qetësia.
“Nuk mund të merrni votat e Partisë Mundësia dhe t’i hidhni në kosh. Vjen Edi Rama dhe të jep urdhra. Nxirr votat e Partisë Mundësia. Nuk janë të tuat, janë të qytetarëve, hajt tani jepi. Mendon se po kërcënon, nxirr votat e partisë Mundësia, pse duhet të vijnë kandidatët.”– iu drejtua Shehaj kryetares së qendrës së numërimit dhe komisionerit.


