Momente tensioni janë regjistruar pranë godinës së Dhomave të Specializuara në Hagë, ku një grup qytetarësh shqiptarë ishte grumbulluar në prag të seancës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Prania e qytetarëve pranë ambienteve të gjykatës solli ndërhyrjen e policisë holandeze. Efektivët iu drejtuan të pranishmëve duke u kërkuar të largoheshin nga zona dhe të zbatonin udhëzimet e autoriteteve.

Situata u tensionua pasi policia paralajmëroi se, në rast të moszbatimit të urdhrit për shpërndarje, mund të ndërhynte për largimin e tyre.

Pas paralajmërimit pati shkëmbime verbale mes disa prej qytetarëve dhe efektivëve. Të pranishmit reaguan me thirrje dhe fyerje ndaj policëve, ndërsa këta të fundit përsëritën disa herë kërkesën për largimin nga zona.

Pas paralajmërimit të tretë të autoriteteve, tensionet nisën të ulen. Qytetarët ndërprenë thirrjet ndaj efektivëve dhe situata pranë godinës së Dhomave të Specializuara u qetësua.

Ngjarja ndodhi në një kohë kur në Hagë janë mbledhur qytetarë shqiptarë përpara seancës së shumëpritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së.