Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë vijojnë prej rreth tre orësh përpara Ministrisë së Arsimit, ku situata është përshkallëzuar pas ndërhyrjes së uniformave blu me gaz lotsjellës dhe autobotin e ujit me presion. Protesta nisi rreth orës 14:00, me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ndërsa eskaloi me tej në përdorimin e dhunës.

Në fillim, tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa më pas situata u tensionua, kur protestuesit hodhën vezë dhe pllaka trotuari drejt godinës së ministrisë, duke thyer xhamat e saj. Gjatë përshkallëzimit të situatës ata dëmtuan edhe kangjellat e trotuarit, dhe arritën të hapnin një prej dyerve metalike të institucionit. Më pas policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, me qëllim shpërndarjen e turmës nga hyrja e godinës.

Megjithatë, protestuesit nuk u larguan nga zona përpara ministrisë. Në tubim iu bashkuan edhe mijëra qytetarë të tjerë, të cilët marshuan nga Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, duke shtuar numrin e pjesëmarrësve në protestë. Studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa përplasjet me policinë vijojnë mes tensioneve të larta.