Tubimi i 94-t kundër qeverisë u shoqërua me tensione dhe incidente, në një nga hyrjet e Kryeministrisë. Policia shoqëroi 11 protestues pas përplasjeve, teksa raportohet që ndodhen në Komisariatin numër 1.

Pas paralajmërimeve të përsëritura përmes megafonëve, efektivët kanë ndërhyrë me forcë për të larguar protestuesit që tentonin të avanconin drejt godinës së Kryeministrisë. Kryeministri Edi Rama ndodhej në Kryeministri në momentin që protestuesit kanë tentuar të hyjnë, teksa më pas u largua nën masa të rrepta sigurie. Protesta e sotme shënon ditën e 94-t të mobilizimit të vazhdueshëm. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkohet gjithashtu ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore.