Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara në seancën plenare të kësaj të mërkure, duke akuzuar drejtuesit e Kuvendit se i mohuan opozitës të drejtën e fjalës dhe penguan diskutimin e çështjeve që, sipas tij, lidhen me shqetësimet e qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se kryetari i Kuvendit nuk lejoi deputetët e opozitës të flisnin për procedurë, ndërsa pretendoi se zhvillimi i seancës diktohej nga Taulant Balla.
“Në mënyrë të paprecedentë, kryetari i Kuvendit i mohoi fjalën në bllok deputetëve të opozitës që kishin kërkuar të drejtën e tyre për të folur për procedurë. Kryeministri duhet të paraqitet në seancë plenare për të dhënë llogari mbi kërkesat që qytetarët protestojnë prej 18 ditësh. Arsyeja e dytë ishte propozimi që unë do të bëja në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të PD për të shtuar në rendin e ditës diskutimet mbi raportin e votuar dje me shumicë dërrmuese nga PE ku kërkesat e qytetarëve gjejnë një pasqyrim të drejtpërdrejt. Kuvendi nuk do duhej të kishte asnjë temë tjetër diskutimi përveç shqetësimeve të qytetarëve. Të mbyllësh Kuvendin që të mos kenë mundësi deputetët e opozitës t’i japin zë qytetarëve që është dëgjuar nga çdo Parlament i vendeve të BE-së, kjo mund të ndodhë vetëm nga një kukull si Niko Peleshi, i Taulant Ballës. Sot seanca drejtohej me SMS. Taulant Balla ka marrë fjalën sa herë ka dashur. Është e paprecedent që një gënjeshtar i faktuar si Taulant Balla që ka gënjyer Ramën prandaj dhe Rama bëri gafën, dje PE i ka bërë thirrje Ramës dhe mazhorancës socialiste të shfuqizojë ndryshimet për ligjin në zonat e mbrojtura”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, Kuvendi duhej të kishte diskutuar raportin e miratuar nga Parlamenti Europian dhe kërkesat e qytetarëve që po protestojnë prej ditësh, ndërsa akuzoi mazhorancën për shmangie të debatit parlamentar mbi këto çështje.
