Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë tubimit, uniformat blu përdorën gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa disa persona u shoqëruan nga policia pasi hodhën vezë në drejtim të deputetëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu deklaroi mbështetjen e saj për Policinë e Shtetit dhe theksoi se çdo person që shkel ligjin do të përballet me drejtësinë.

“U desh shumë pak që kjo protestë të hiqte maskën. Nga pankartat me meme, te vezët, e më pas te dhuna dhe kaosi, pikërisht aty ku dukej se ishte planifikuar të mbërrinte që në fillim. Kjo nuk është më një protestë qytetare me kauza të drejta. Është i njëjti skenar i vjetër, i njëjti refren i konsumuar i një grupi vandalësh që i kanë mbetur peshqesh Shqipërisë,” shprehet Koçiu në reagimin e saj.

Ajo shtoi gjithashtu se Policia e Shtetit ka mbështetjen e plotë për ruajtjen e rendit publik, ndërsa paralajmëroi se “kushdo që tejkalon kufijtë ligjorë do të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë”.