Bledar Selmanaj, i dënuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljan Bullari, ka tentuar arratisjen ditën e djeshme nga burgu i Fierit. Mësohet se Selmanaj, ndodhej në zonën e ajrimit teksa tentoi që të dilte nga rrethimi i burgut. Por në këto momente u pikas nga një gardian, i cili njoftoi rojet, të cilët e kapën Selmanajn në flagrancë.

Por kush është 39-vjeçari Bledar Selmanaj? Ai rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi vite më parë është akuzuar për disa vjedhje argjendarish e banesash në Tiranë. Duke kryer disa vjedhje seri ai është etiketuar edhe si hajduti ‘serial’ në kryeqytet.

Ai u arrestua në vitin 2021 në zonën e Bllokut në Tiranë, për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljan Bullari, me të cilin rezultoi se kishte njohje. Ai e vrau të riun në Vlorë, ndërsa në oborrin e banesës së tij iu gjet e groposur arma e krimit, si dhe veshjet që kishte përdorur ditën e ngjarjes.

Bledar Selmanaj e qëlloi Bullarin me tre plumba, njëri prej të cilëve i preku kokën dhe rezultoi ai më fatali që i mori dhe jetën. Arsyeja se përse Selmanaj qëlloi me shokun e burgut kishte të bënte për paratë e një sasie rreth 100 kg lëndë narkotike kanabis. Por edhe deri më sot, nuk e ka pranuar vrasjen.

Nga ana tjetër, kjo nuk është hera e parë që Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset. Fillimisht tentoi arratisjen nga ambientet e spitalit të burgut në 2021. Ai ka tentuar arratisjen në orët e para të mëngjesit të datës 22 dhjetor. Fillimisht ai ka mundur që të presë prangat dhe më pas ka arritur që të presë 4 hekura dhe ka tentuar që të dalë nga burgu, por është kapur në kohë nga ana e efektivëve të burgut. Ai tentoi edhe më pas, por sërish u pikas nga gardianët duke mos mundur të arratiset.