58-vjeçari Bardhyl Fusha, i cili grabiti pak ditë më parë një bankë në Tiranë, është lënë në burg. Avokati i 58-vjeçarit, Mirash Ndoci ka sqaruar se klienti i tij është paraqitur në ambientet e bankës në mes të ditës i pamaskuar.

Ai shton se ai ka lënë mjetin e tij personal të parkuar përpara bankës dhe pas daljes nga banka është dorëzuar menjëherë ndaj punonjësve të policisë. Avokati thekson se Fusha nuk ka ushtruar rezistencë dhe nuk ka tentuar arratisje. Sipas tij këto elementë, nuk përputhen me tipologjinë e një grabitjeje të organizuar apo të mirë strukturuar, por tregojnë mungesë planifikimi profesional, mungesë strategjie arratisjeje dhe mungesë përshkallëzimi dhune.

Ai shton se Fusha ka deklaruar se ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar, për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve të tij në një shumë të konsiderueshme. Avokati konfirmon se subjekti tregtar që ai ka administruar rezulton me vështirësi serioze ekonomike dhe detyrime tatimore, çka ka rënduar më tej situatën e tij personale dhe psikologjike.

“Mbrojtja vlerëson se kemi të bëjmë me një akt të izoluar, të kryer në një moment tronditjeje të fortë emocionale, dhe jo me një prirje kriminale të qëndrueshme. Për këtë arsye, në kuadër të procesit gjyqësor, mbrojtja ka kërkuar: Caktimin e një mase sigurimi më të butë se ‘arrest në burg’, duke qenë se nuk ekziston rrezik arratisjeje apo përsëritjeje; Kryerjen e një ekspertimi psikologjik/psikiatrik për të vlerësuar gjendjen mendore të tij në momentin e ngjarjes. Ne respektojmë plotësisht organet e drejtësisë dhe presim që çështja të trajtohet me objektivitet, proporcionalitet dhe në përputhje me standardet e një procesi të rregullt ligjor”, theksoi avokati ndër të tjera.