Policia e Shtetit ka proceduar një detektive private dhe një person tjetër, pasi ata tentuan të heqin përgjuesit nga banesa e familjes së Erjon Llapushit, një nga personat më të kërkuar nga autoritetet. Sipas hetimeve, dedektivi privat ka shkuar në banesën e familjes Llapushi në Pogradec dhe dyshohet se ka kontrolluar për të zbuluar nëse autoritetet kishin vendosur përgjues, me qëllim që t’i hiqte ato.
Një tjetër person, i cili dyshohet se e ka gjetur dedektivin dhe ka mundësuar ndihmën për të arritur në banesë, gjithashtu është proceduar nga policia. Këta dy persona akuzohen për pengimin e hetimit dhe për të parandaluar zbardhjen e së vërtetës. Policia ka referuar rastin në prokurori dhe dedektiven private e akuzon për veprën penale të “pengimit të zbulimit të së vërtetës”.
Erjon Llapushi, një nga të kërkuarit më të rrezikshëm të Policisë
Erjon Llapushi, i cili kërkohet nga Policia e Shtetit që nga viti 2021, është një individ i njohur për një seri krimesh të rënda. Llapushi është autor i vrasjes makabre të kamarierit Gazment Kurmaku në Elbasan, ngjarje që ndodhi më 2 tetor 2021. Ai ka goditur dhunshëm Kurmakun, duke i shkaktuar vdekjen, pas një konflikti për një tavolinë në lokal.
Më 17 korrik të 2024, Prokuroria e Elbasanit kërkoi dënimin me 20 vite burg për Llapushin për akuzën e “vrasjes me dashje”. Përveç kësaj vrasjeje, Llapushi ka një dosje të gjatë penale, duke përfshirë akuza për armëmbajtje pa leje, plagosje, tentativë për vrasje, shtrëngim për dhënien e pasurisë dhe transportim të emigrantëve të paligjshëm.
Për Llapushin, autoritetet kanë shpallur shpërblime dhe kërkime të vazhdueshme, ndërsa ai mbetet një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit për krimet e tij të rënda.
