Gjykata e Durrësit ka lënë pas hekurave Teilor Tivarin, i cili vrau me thikë Valbon (Marko) Beqirajn, dhe bashkëpunëtorin e tij.

Togat e zeza kanë caktuar ndaj 24-vjeçarit dhe mikut të tij me iniciale Xh. D., që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja me taksi, masën e sigurisë “arrest me burg”. Teilor Tivari sipas burimeve ka shprehur pendesë para togave të zeza të Gjykatës së Durrësit gjatë seancës së sotme.

Tivari akuzohet se vrau me thikë në banesë 51-vjeçarin Valbon Beqirajn, i cili u gjet i masakruar në banesë në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar, rreth 9 orë pas krimit që tronditi vendin. Vrasja raportohet se ndodhi rreth orës 10:00 të datës 24 Shtator 2025, por trupi i Valbon alias Marko Beqiraj u zbulua nga nipi i tij rreth orës 19:00.

24-vjeçari Tivari, sipas bluve, kishte hyrë në banesën ku ndodhej viktima për të blerë kokainë.

Por gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas dhunimit dhe masakrimit me thikë të viktimës, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga 27-vjeçari me iniciale Xh. D., i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.

Autori i dyshuar dhe bashkëpunëtori i tij, i cili e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, janë arrestuar nga policia një ditë pas ngjarjes.

Tivari deklaroi se viktima kishte tentuar ta përdhunonte prandaj ee qëlloi, duke ngritur dyshime për një lidhje homoseksuale mes tyre, megjithatë, kjo pistë mbetet e pa provuar.