Autori Indrit Zebi qëlloi disa herë me thikë Jurfion Suparakun


Jurfion Suparaku (2)Një sherr i nisur për një femër mes dy shokëve, për pak sa nuk i ka marrë jetën një të riu. Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin ku dënon me tetë vjet burg Indrit Zebin, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Jurfion Suparakut. Ngjarja ka ndodhur më 28 korrik 2013, në rrugën “Xhorxh Bush”, njohur ndryshe si “Rruga e Barrikadave” Tiranë. I pandehuri dhe i dëmtuari kanë pasur njohje të mëparshme me njëri-tjetrin, pasi kanë qenë nxënës në shkollën ekonomike në Tiranë. Për shkak të një vajze, marrëdhëniet midis tyre janë ftohur dhe më pas ata kanë pasur konflikte, që kanë kaluar deri në rrahje.


Sipas prokurorisë, nga këto konflikte të pandehurit Indrit Zebi i ka lindur mendimi që të vriste Jurfjonin, veprim që ai e ka planifikuar ta kryejë në datën 28.07.2013. Këtë ditë ai ka marrë me vete një mjet shpues, biçak dhe rreth orës 10:00 ka pritur pranë banesës së Jurfjonit, deri në daljen e këtij të fundit. Rreth orës 11:00 Jurfjoni ka dalë nga banesa i vetëm dhe pasi ka kaluar tunelin, që ndodhet afër shtëpisë së tij është nisur në drejtim të kafe “Europës”. Pikërisht, në këtë moment i ka ardhur nga pas i pandehuri Indrit Zebi, i cili me biçakun që mbante në dorë e ka qëlluar fillimisht Jurfjonin nga pas në anën e majtë të qafës. Jurfjoni është kthyer dhe ka njohur Indrit Zebin si personi që e ka qëlluar dhe ka kërkuar të vetëmbrohet me duar. Por, i pandehuri Indrit Zebi e ka qëlluar disa herë të tjera në anën e majtë të kraharorit dhe në fund në kofshën e majtë. Në goditjen e fundit, biçaku ka mbetur i ngulur në kofshën e majtë. Që nga ky moment i pandehuri është larguar me vrap. Këtë skenë e kanë parë disa banorë të lagjes si shtetasja S.B., etj… të cilët kanë bërtitur “e mbytën Tolen”, duke iu referuar Jurfjonit. I dëmtuari është ngritur dhe ka filluar ta ndjekë me vrap, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur ta kapë të pandehurin, të cilin ua ka treguar me gisht shokëve të tij, të ardhur aty si rezultat i britmave, ndër të cilët Ermal Pishtari dhe Aldo Vaska. Ata janë vënë në ndjekje të pandehurit, i cili ka vazhduar vrapin në drejtim të sheshit “Skënderbej”. Para bar “Piazza” i pandehuri ka marrë një mjet tip taksi me targa TR280 C, që drejtohej nga shtetasi Arqile Mertiri, të cilit i ka kërkuar ta dërgojë te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Civile, ku ka dhe shtëpinë. Ermal Pishtari ka vazhduar ndjekjen e të pandehurit, duke u ndihmuar nga një person me motor edhe kur Indriti ishte në taksi, te  kryqëzimi afër vendit ku shkëmbehej valutë, i ka bërë shenjë taksistit të ndalojë mjetin. Taksisti nuk ka ndaluar aty, por te semafori tek ura e Lanës, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, i ndjekur nga pas nga Ermal Pishtari, që kishte realizuar ndjekjen me anë të një personi të rastësishëm me motor. Kur mjeti ka ndalur në semafor, Ermali ka hapur derën e taksisë ku ndodhej Indriti dhe ka nxjerrë prej andej këtë të fundit, duke u qëlluar me grusht. Ermali ka arritur ta neutralizojë Indritin, i cili i thoshte se “Tolja ishte në gjak me të”, derisa pas pak minutash aty kanë ardhur punonjësit e policisë, të cilët kanë realizuar dhe kapjen në flagrancë të të pandehurit Indrit Zebi.


Sipas vendimit, Suparaku është dërguar nga banorë të zonës në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë edhe ndihmën e parë. Aty, me ndihmën e personelit mjekësor, Jurfjonit i është hequr edhe thika nga kofsha, e cila është sekuestruar më pas nga OPGJ dhe është dërguar për ekspertim teknik. Sipas Jurfjon Suparakut shkaku i sulmit nga Indriti ishte konflikti që para dy vjetësh, për një vajzë, ku Jurfjoni e ka rrahur Indritin. Më pas Jurfjoni ka kujtuar se konflikti ishte mbyllur, pasi nuk kanë pasur fërkime të tjera, deri më dt.28.07.2013.


I pyetur menjëherë pas arrestimit në flagrancë, Indrit Zebi konfirmon versionin e fakteve të dhëna nga i dëmtuari Jurfjon Suparaku, si për ditën kur janë konfliktuar dhe për shkakun. Ai ka shtuar gjithashtu se, dëshironte të hakmerrej ndaj Jurfjonit dhe për realizmin e hakmarrjes ka gjetur një thikë biçak dhe ka shkuar në lagjen ku banon Jurfjoni, duke e pritur që të dalë nga banesa. Por, megjithëse akuzohej për vrasje në tentativë, Gjykata e Apelit, por edhe ajo e Lartë, ndryshuan masën e sigurisë për Zebin, duke vendosur ndaj tij arrestin shtëpiak. Në gjykatë janë bërë disa akte ekspertimi nga ku rezultoi se arma nuk ishte e ftohtë. Por, në fund, gjykata thotë se veprimet e autorit janë bërë me dashje, duke e dënuar me 12 vite burg, nga 15 që kërkoi prokuroria. Por, duke qenë se pranoi aktet e dosjes, Zebi përfitoi ulje dënimi, duke u dënuar përfundimisht me 8 vjet burg.