Specialistët e Policisë së Dibrës nën drejtimin e Prokurorisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim një 32-vjeçar, i dyshuar për tentativë vrasjeje me armë zjarri në qytetin e Bulqizës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur shtetasi A. T., 32 vjeç, u qëllua në këmbë dhe u plagos, duke u dërguar menjëherë në spital, jashtë rrezikut për jetën. Hetimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Komisariati i Bulqizës zbuluan se shkak i incidentit ishte një konflikt i mëparshëm mes palëve.
Autori i dyshuar, H. B., 32 vjeç, banues në Bulqizë, akuzohet për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
