Durrës


Policia DurresNjë 25-vjeçar nga fshati Katund Sukth i Durrësit është plagosur rëndë nga një bashkëfshatar që ishte vënë në ndjekje të personave që tentuan t’i vjedhin lopën. Policia e Durrësit ka zbardhur plagosjen e rëndë të shtetasit Julian Vlashi dhe ka kryer arrestimin e 29-vjeçarit Andi Simoni pasditen e së premtes. Vlashi u plagos rreth orës 04.00 të mëngjesit të së premtes, pak pasi kishte dalë nga shtëpia e tij. Nga hetimet e para të kryera për zbardhjen e plagosjes ka rezultuar se rreth një orë para ngjarjes, në kasollen pranë shtëpisë së Andi Simonit persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin lopën e familjes Simoni. Menjëherë 25-vjeçari Andi Simoni në bashkëpunim me persona të tjerë të fshatit të njoftuar nga vetë ai janë vënë në ndjekje të autorëve të vjedhjes. Në një distancë rreth 2 km larg banesës Andi Simoni për shkak të errësirës teksa ka pikasur lëvizjen e një personi në rrugë, ka menduar se kanë qenë personat që kërkonte dhe ka qëlluar me automatik mbi 29-vjeçarin Vlashi. I plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Durrësit. Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes 4 gëzhoja dhe një automatik me një krehër me 26 copë fishekë, ndërsa në automjetin tip Lancia me targa AA286JV në pronësi të shtetasit Andi Simoni u gjendën edhe 6 fishekë. Policia njoftoi se po punon dhe për kapjen e autorëve të vjedhjes së pasurisë së të arrestuarit Simoni. V.Qyrfyçi