Tiranë – Një 41-vjeçar ka tentuar të hyjë me forcë në ambientet e ambasadës gjermane në Tiranë, por është ndaluar nga rojet e sigurisë. Burimet bëjnë me dije se dje në mesditë, Ilmi Kulla, ka hyrë nga muri rrethues i ambasadës së huaj, në mënyrë që të kontaktonte me punonjësit, për marrjen e një vize. Veprimi i tij ka alarmuar punonjësit e ambasadës gjermane dhe rojet e sigurisë kanë ndalur 41-vjeçarin nga Fushë-Kruja, për t’ia dorëzuar më pas Policisë së Tiranës. Forcat e Komisariatit nr. 3, kanë shkuar me urgjencë për të shoqëruar Kullën, për veprimin e pazakontë. Në dëshminë e dhënë, Kulla është shprehur se nuk ka pasur asnjë qëllim të keq në lidhje me aktin e tij. Para oficerëve të policisë gjyqësore 41-vjeçari ka dëshmuar se prej kohësh kërkon që të shkojë në Gjermani, për t’iu bashkuar pjesës tjetër të familjes dhe për t’u punësuar atje, por pa mundur të kontaktojë me punonjësit e ambasadës. Si pasojë e kësaj, ai ka tentuar që të gjejë rrugën më të shkurtër, për të shprehur kërkesën e tij, hyrjen në ambientet e ambasadës, duke kapërcyer murin rrethues. Mësohet se 41-vjeçari njihet si person me precedentë penalë. Ai ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata e Krujës, për veprën penale të “prishjes së rendit dhe qetësisë publike”.