Papunësia dhe xhelozia mendohet se kanë sjellë dhunën ndaj 40-vjeçares në Tiranë
Silvana Muça
Papunësia dhe xhelozia mes çiftit, për pak sa nuk i ka marrë jetën 40-vjeçares Lavdije Cani, me banim në Tiranë, e cila ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Policia duket se ka ndërhyrë në një moment deciziv, para se burri ta vriste 40-vjeçaren me pistoletë, ndërkohë që gjatë kontrollit, atij i kanë gjetur një arsenal armësh në shtëpi, e tashmë do të hetohet edhe për to, ku dyshohet se mund të jetë marrë me trafikun e tyre.
Burime nga policia bëjnë me dije se Tafil Cani, 48 vjeç, është arrestuar në flagrancë, në tentativë për të vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij. “Falë ndërhyrjes së shpejtë të uniformave blu është shmangur krimi në familje dhe është arrestuar agresori”, deklaroi policia e kryeqytetit. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në banesën e çiftit Cani, pranë zonës së “Zogut të Zi”, në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë. Nga informacionet e mbledhura rezulton se marrëdhëniet mes çiftit, prej kohësh kanë qenë të acaruara dhe 48-vjeçari, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike mbi bashkëshorten e tij.
E ndodhur në kushte të tilla, nëna e katër fëmijëve ka kërkuar divorcin, gjë që është kundërshtuar ashpër nga bashkëshorti. Fqinjët, pasi kanë dëgjuar sherrin dhe të qarat e gruas në banesën e tyre dhe kanë parë që gjendja është e rëndë, kanë njoftuar policinë, e cila arrestoi në kohë agresorin, duke shmangur krimin në familje. Nga ana tjetër, policia dhe banorët e zonës i kanë dhënë ndihmën e parë gruas së dëmtuar, duke e dërguar në spital, ku mendohet se po kalon një gjendje të rëndë shëndetësore dhe psikologjike.
Policia shpjegon se e gjitha kjo dyshohet se ka ardhur për arsye se asnjë prej familjarëve nuk rezulton që të jetë në marrëdhënie pune, duke bërë që ata të jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Kjo mendohet se ka shkaktuar konflikte të shumta mes çiftit, ndërkohë që burri dhunonte të shoqen, duke ngritur edhe dyshime absurde xhelozie, sikur ajo e tradhtonte. Madje, në momentin e tentativës së vrasjes, ai mendohet se kishte konsumuar alkool dhe ky ka qenë motivi i konfliktit.
Pas arrestimit, policia ka ushtruar kontroll në banesën e Tafil Canit, ku kanë gjetur një arsenal armësh dhe municione të tjera luftarake. “Në banesë, ai mbante një armë zjarri luftarake me tytë të gjatë, model 56, një automatik me qytë druri të prerë, disa granata ushtarake, granata ofensive dhe difensive, ndezës, i cili shërben për funksionimin e granatave, 590 fishekë, 12 krehra për mbajtje fishekësh, krehër automatiku dhe 4 fishekë të ngjashëm me ato të armëve të gjuetisë”, tha zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini. Sipas policisë, ende nuk dihet arsyeja se përse 48-vjeçari e kishte kthyer shtëpinë në një depo ushtarake, kështu që po hetohet për prejardhjen e armëve dhe ka dyshime se ai merrej me trafikimin e tyre. Madje, Cani rezulton me precedentë penalë, pasi është dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje”. Duke u nisur nga kjo situatë, ndaj tij u mor masa e menjëhershme e arrestit për veprën penale “shtrëngimi ose pengim për të bashkëjetuar ose zgjidhur martesë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.