Një 36-vjeçar nga Durrësi është arrestuar pas deportimit nga Greqia, pasi akuzohet për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Beratit për shtetasin me inicialet K. M.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 2 janar 2025, në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat. 36-vjeçari, në bashkëpunim me vëllanë e tij, i cili është shpallur në kërkim, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri nga një automjet në drejtim të dy personave.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.

Pas deportimit të tij nga Greqia, policia bëri të mundur ndalimin e 36-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.