Oficerët e karabinierëve nga forca policore e qytetit të Foggias në Itali arrestuan një shqiptar 37-vjeçar dhe një 37-vjeçar nga Foggi me akuza të ndryshme për tentativë vrasjeje dhe posedim të armëve të paligjshme. 

Media italiane shkruan se, mbrëmjen e 10 majit, një patrullë karabinierësh, ndërhyri pranë parkingut të Penny Market në Via San Severo në Foggia, ku një i huaj ishte raportuar se po merrte kërcënime me vdekje nga një i njohur.

Me të mbërritur në vendngjarje, oficerët dëgjuan qartë disa të shtëna me armë zjarri që vinin nga parku në rrugën Ugo Iarussi dhe njëkohësisht vunë re banorë të shumtë, përfshirë gra dhe fëmijë, që përpiqeshin t’i shpëtonin rrezikut. 

Karabinierët identifikuan dhe arrestuan menjëherë dy individë që besohet se ishin të përfshirë në të shtëna, të dy me precedentë të gjerë kriminalë dhe policorë. I pari, një shqiptar, i cili u kap afërsisht 40 metra larg vendit të ngjarjes dhe i dyti, një burrë nga Foggia, u ndoq dhe u arrestua pak më vonë nga oficerët.

Gjatë ndërhyrjes, karabinierët zbuluan se një grua dhe një burrë kishin pësuar plagë me armë zjarri në këmbën e majtë dhe të djathtë, përkatësisht. Hetimet fillestare zbuluan se dy burrat e arrestuar hynë në park të armatosur me pistoleta dhe, gjatë një grindjeje ku ishin përfshirë disa kalimtarë, qëlluan disa herë, duke plagosur dy persona.  Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan dy pistoleta, të dyja me numra serialë të hequr. Besohet se janë përdorur nga të dyshuarit.