Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi tentuan t’i vidhnin me dhunë portofolin një taksisti në rrugën “Selaudin Zorba”.

Të arrestuarit, të identifikuar si Ajla Qefalia (me masë sigurie “Arrest në shtëpi”), Fatbardh Byberi dhe Luis Mija, kanë precedentë penalë dhe dyshohet se janë autorë edhe të një tjetër vjedhje, ku grabitën celularin e një shtetaseje në rrugën “Tahsim Shehu”.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të mundshme të tjera që mund të kenë kryer këta të rinj.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i hetimeve të kryera me objektiv identifikimin dhe arrestimin e autorëve të vjedhjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Episodet”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit A. Q., 22 vjeçe, F. B., 36 vjeç dhe L. M., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë, shtetas me precedentë në fushën e vjedhjeve.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dje, shtetasit A. Q. dhe F. B. kanë tentuar t’i vjedhin me dhunë, portofolin, drejtuesit të taksisë me të cilën lëviznin në rrugën “Selaudin Zorba”. Më pas, dyshohet se i kanë vjedhur celularin, një shtetaseje, në rrugën “Tahsim Shehu”.

Më tej, nga hetimet rezultoi se shtetasja A. Q. ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”. Gjithashtu, dyshohet se 22-vjeçari, ishte me 2 të arrestuarit e tjerë, në taksi, në momentin që kryen tentativën për vjedhje.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime, me qëllim zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.