2 persona janë vënë në pranga nga polica e Tepelenës, pasi akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme. Shtetasit Fori Pashai, 54 vjeç dhe Nuri Llakbarjami, 50 vjeç akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vënë zjarrin një kullote në fshatin Krahës të Tepelenës, me qëllim rigjenerimin e tokës, por flakët, të ndihmuara edhe nga era, janë përhapur me shpejtësi duke shkaktuar dëme të mëdha në mjedisin përreth.


Si pasojë e flakëve të fuqishme janë djegur 5 hektarë kullota dhe 333 rrënjë ullinj të banorëve të fshatit Krahës. Për shkak të përhapjes së menjëhershme, mësohet se zjarri rrezikoi edhe disa shtëpi përreth, por vetëm ndërhyrja në kohë e zjarrfikëseve bëri të mundur normalizimin e situatës.


Ndërkohë, ndaj dy personave të arrestuar ka nisur procedimi penal për zjarrvënie të qëllimshme


Kohët e fundit janë shtuar rastet e zjarrvënieve të qëllimshme, të cilat shkaktohen zakonisht nga banorët e zonave për të hapur toka për bujqësi.


17 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)