Drejtoria e policisë së Gjirokastrës ka njoftuar arrestimin e një personi për zjarrvënie të qëllimshme në lagjen Sorodol në Tepelenë, ku janë djegur dhjetëra pemë frutore.
I ndaluari është shtetasi Xhevair Muçaj, 50 vjeç, banor i kësaj lagjeje, i cili një ditë më parë i vuri zjarrin bimësisë mbrapa banesës së tij. Si pasojë e erës së fortë, zjarri doli nga kontrolli duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe dhe duke djegur rreth 20 hektarë pyll e kullotë.
Zjarri brenda një kohe të shkurtër përfshiu kopshtet e banesave të lagjes Sodorol, duke djegur 60 rrënjë ullinj shumëvjeçar, 20 rrënjë ullinj të mbjellë një vit më parë, si dhe dhjetëra rrënjë rrush, fiq, mollë etj., pronë e banorëve të kësaj lagjeje.
Gjithashtu, si pasojë e erës së fortë, zjarri rrezikoi seriozisht edhe banesat e lagjes Sorodol, pasi ishte afruar shumë pranë tyre.
21 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)