Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, ka reaguar lidhur me debatin e krijuar për udhëzuesin mbi terapinë hormonale, duke sqaruar se bëhet fjalë për një dokument me karakter orientues për profesionistët e shëndetësisë dhe jo për një protokoll të detyrueshëm trajtimi.

Përmes një deklarate publike në rrjetet sociale, Tomini theksoi se dokumenti synon të ndihmojë mjekët në vlerësimin dhe këshillimin e personave që kërkojnë terapi hormonale, pa përcaktuar automatikisht nisjen e trajtimit.

Sipas saj, udhëzuesi i referohet ekskluzivisht personave madhorë dhe zbatimi i çdo rekomandimi mbështetet në kuadrin ligjor në fuqi, si edhe në pëlqimin e informuar të individit. Ajo nënvizoi gjithashtu se dokumenti nuk përfshin asnjë parashikim për rimbursimin e medikamenteve hormonale dhe nuk trajton çështje financimi të këtij shërbimi.

“Ky udhëzues konsiderohet një udhëzues orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Ai orienton profesionistët shëndetësorë në procesin e rekomandimit apo referimit mbi terapinë hormonale për individët që janë të interesuar për këtë shërbim. Udhëzuesi mbështetet në praktikat dhe rekomandimet ndërkombëtare si dhe në vlerësimin e një ekipi multidisiplinar me specialist klinicist, profesionist psikosocial, specialit të shëndetit mendor.

Çdo rast vlerësohet individualisht nga ekipi multidisiplinar dhe nëse individi ka patologji të caktuara mund të përjashtohet nga ky udhëzim në varësi të vlerësimit klinik. Ky udhëzues ka karakter thjesht klinik dhe zbatohet në nivel universitar si strukturë referente për terapinë hormonale. Udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Në to përfshihen vetëm rekomandimet të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale sipas praktikave klinike,” tha Tomini