Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka njoftuar se tenderi për portin e ri në Porto Romano është anuluar. Sipas tij, kompania e vetme ofertuese është tërhequr nga tenderi.

“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm. Me një arsye tërësisht ekonomike. Prë shkak të rritjeve të kostove totale të ndërtimit në përgjithësi. Dhe ofertuesi është tërhequr me qëllimet ekonomike. Komisioni do të vijojë me procedurat”, tha Karakaçi.

“Kryeministri u shpreh për këtë projekt. Ka aktorë të ndryshëm që përpiqen ta frenojnë dhe sabotojnë këtë projekt shumë të rëndësishmen, për qëllime të ndryshime. Ne do të ndërtojmë një skenar tjetër që çdo aktor tjetër nuk do të mundet ta frenojë këtë projekt se është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit”.

Ministri e quajti aludim informacionet që kompania ofertuese të ketë pasur lidhje ruse.

Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet. Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe insistimit të vazhdueshëm të SHBA-ve. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me këtë tender.

Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkoi shtyrjen e garës, pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon. Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit, për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.

Ndërkohë, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, mbajtur ditën e hënë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te projekti i portit të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më komplekse që po zhvillohen aktualisht.