Avokati i Popullit ka kërkuar rishikimin e teksteve universitare, pas shqetësimit të ngritur nga Ambasada Pink dhe LGBT Pro Shqipëri, se disa tekste mësimore në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, përmbajnë elemente dhe përkufizime jo shkencor dhe diskriminues për komunitetin LGBT.
Me anë të një deklarate, Institucioni i Avokatit të Popullit ka theksuar se Konventa Evropiane Për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut parashikon që metodat, kurrikulat dhe burimet arsimore duhet të shërbejnë për zgjerimin e të kuptuarit dhe respektimin e të drejtave të individit, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual ose identiteti gjinor. “Në Rekomandimin e 2010 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, nënvizohet se lëndët mësimore nuk duhet të përmbajnë tekste të njëanshme, diskriminuese dhe denigruese ndaj komunitetit LGBT.
Procesi i Integrimit Europian të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë, marrja e statusit kandidat përveç të tjerave në Prioritetin 11 kërkon, që të bëhen hapa konkretë në forcimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave anti-diskriminim”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Ky institucion i ka kërkuar qeverisë shqiptare, e në mënyrë të veçantë Ministrisë së Arsimit dhe Rektorëve të Universiteteve publike dhe private, të rishikojnë programet dhe materialet mësimore, për të siguruar se lëndët mësimore nuk do të përmbajnë tekste të njëanshme, diskriminuese dhe denigruese ndaj komunitetit LGBT.
“Avokati i Popullit do të dërgojë brenda ditës së hënë Rekomandim të posaçëm për këtë çështje Ministrisë së Arsimit, Rektorëve të Universiteteve Publik dhe Privatë dhe do të monitorojë nga afër zbatimin e këtij rekomandimi dhe në përgjithësi të legjislacionit antidiskriminim ndaj këtyre strukturave që ofrojnë një shërbim publik. Me këtë rast, Avokati i Popullit i kërkon Kuvendit dhe komisioneve parlamentare të diskutojnë sa më shpejt raportin e Avokatit të Popullit me temë “Të drejtat e personave LGBT”, të dorëzuar në Kuvend në datë 05. shtator 2012″, deklaron Avokati i Popullit.
10 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)