
Vazhdon të rritet bilanci i viktimave pas tërmetit në Meksikë: deri tani numërohen 273 të vdekur, ka saktësuar përgjegjësi i mbrojtjes civile, Luis Felipe Puente.
Autoritetet thonë se janë 173 viktima në Meksiko Siti, zona më e goditur këtë të martë nga lëkundje sizmike që arritën deri në 7.4 ballë. Personat e tjerë janë në shtetin e Morelos (73), Puebla (43), Meksikë (13), Guerrero (6) dhe Oaksaka (1).
Në shkollën ‘Enrique Rebsamen’, ku humbën jetën 19 fëmijë dhe 6 të rritur, autoritetet e kërkim-shpëtimit janë tërhequr pasi rrezikohet shembja e ndërtesave. Vendimi është marrë, pasi njëra nga kollonat e ndërtesës kishte rënë gjatë ndërhyrjes.
Operacionet e shpëtimit për të gjetur persona të mbetur nën rrënoja vazhdojnë në të paktën dhjetë ndërtesa të Meksiko Sitit.
“Vazhdojmë të kërkojmë persona mes të mbijetuarve”, – ka saktësuar presidenti meksikan Enrique Lopez Nieto gjatë një vizite në Chiautla, Puebla, një nga më të goditurat nga tërmeti, ku janë dëmtuar të paktën 10 mijë banesa.
22 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)