Kjo e mërkurë është cilësuar nga sinoptikanët si dita më e nxehtë e vitit në vend. Termometri do të shënojë vlerën maksimale deri në 42 gradë celcius. Në një postim në rrjetet sociale Agjencia për Media dhe Informim këshillon qytetarët që të shmangin daljet në orët e pikët, të pinë sa më shumë ujë, të qëndrojnë në ambiente të freskëta etj. Po ashtu theksohet që duhet të tregohet më shumë kujdes për fëmijët dhe të moshuarit, por gjithashtu edhe për kafshët.

“Nëse ndiheni të dobët, të marramendur, të konfuzuar ose me simptoma të tjera nga i nxehti, kërkoni ndihmë mjekësore. Sot, më shumë se çdo ditë tjetër, kujdesemi për veten dhe për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftim.

Për të përballuar më mirë të nxehtin:

  • Pini ujë shpesh, edhe nëse nuk ndjeni etje.
  • Shmangni ekspozimin në diell dhe aktivitetin fizik në orët më të nxehta.
  • Vishuni lehtë, me rroba të lirshme dhe me ngjyra të çelëta.
  • Qëndroni në ambiente të freskëta dhe mbani sa më të freskët hapësirat e banimit.
  • Kujdesuni veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.
  • Mos lini fëmijë apo persona të tjerë në automjete të parkuara, edhe për pak minuta.
  • Mos harroni kafshët – sigurojuni ujë të freskët dhe një hapësirë me hije.
  • Ndërkohë për të gjithë qytetarët që kanë shqetësime nga i nxehti duhet të konsultohen me mjekun e familjes.