Kryedemokrati Sali ngriti akuza të forta në drejtim të Policisë së Shtetit, në një reagim në ditën e 12 të protestës ku pati përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Kreu i selisë blu pretendon se policia ka përdorur mjete zjarri në shkelje të ligjit, ka kryer akte barbare terrori dhe torture. Po ashtu Berisha tha se “banditë të droguar me uniformë” kanë ngacmuar seksualisht vajzat e shoqëruara.

Kryedemokrati paralajmëroi forcat “Shqiponja” se me largimin e Ramës do të bëhen përgjegjës para ligjit.

“Policia ka qëlluar me mjete zjarri në shkelje të plotë të armëve që përdoren. Erion Vishkulli humbi syrin. I diplomuar në Gazetari, ndërkohë që në mënyrë absolute nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm ndaj askujt. Në sy u plagos një protestuese paqësore tjetër. Mbi vetull u godit me plumb një protestues tjetër. Në abdomen me plumb, që duhet hequr me operacion. Akte barbare. 40-vjeçari Lorenco Bezani u shkelmua barbarisht nga koka, trupi, te këmbët, pa asnjë akt dhune. Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariat njerëz që s’kanë pasur asnjë lidhje me protestën. Sot dua të informoj shqiptarët se banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin. Për të mos thënë jo vetëm vajzat. Horra si ata s’ka Shqipëria. I garantoj ‘shqiponjat’ e Ramës, se akti i parë i përmbysjes, largimit të padronit të tyre, ata një për një do të bëhen përgjegjës para ligjit për krime të shëmtuara”, u shpreh Berisha.