Ngjarja ndodhi në qytetin e Kavajës, ku 28-vjeçari Murat Curri, alias Murat Cërriku, i armatosur ka hyrë në një bar-kafe, duke kanosur klientët dhe duke goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 të së dielës në lagjen nr. 2 të qytetit. Pas aktit të dhunshëm, autori I dyshuar u largua me shpejtësi me automjet, duke dëmtuar edhe një mjet të parkuar gjatë tentativës për t’u arratisur.
Policia e Kavajë, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Durrësit u vunë në ndjekje të autorit. Gjatë ndjekjes, për shkak të shpejtësisë së lartë, 28-vjeçari Curri humbi kontrollin e automjetit, duke u përplasur me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.
Pas aksidentit, ai braktisi mjetin dhe u largua në këmbë, ndërsa Policia ka vijuar kontrollet intensive në zonë.
Pas disa orë kërkimesh dhe përdorimit të metodave speciale hetimore, i riu u lokalizua dhe kap në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka hedhur armën e zjarrit, e cila është gjetur më pas në një kanal dhe është sekuestruar si provë materiale.
Në automjetin, që përdori tip “Range Rover”, policia gjeti gjithashtu një krehër me municion luftarak.
Nga hetimet paraprake rezulton se 28-vjeçari ka kanosur dy klientë dhe ka goditur në kokë me qytën e pistoletës pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta.
I arrestuari, me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, u prangos, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
